ιѕℓαм-ιѕтσg.тк
thaqi-iftar
Kryeministri Thaqi shtroj Iftar për Myftiun Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi shtron iftar për krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Prishtinë, 26 gusht 2010
Në iftarin e shtruar nga kryeministri Thaçi në ambientet e hotelit “Viktoria” në Prishtinë kanë marrë pjesë, përfaqësues të ICO-së, ambasadorë të akredituar në Prishtinë, liderë të partive politike, ministra , deputet dhe mysafirë të tjerë.
Në një fjalë rasti në darkën e iftarit, kryeministri Hashim Thaçi ka përshëndetur në emrin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës të gjithë të ftuarit dhe ka falënderuar për pjesëmarrjen në këtë iftar.
“Jemi në një muaj që sprovon pastërtinë e shpirtit, durimin, disiplinën, solidaritetin dhe bashkimin. Gëzimit për fitore dhe shikimit kah e ardhmja. Fryma e tolerancës fetare gjithmonë ka qenë prezente në Republikën e Kosovës dhe se Kosova është model i kësaj fryme në gjithë rajonin për ndërtimin e një shteti demokratik, të tolerancës të mirëkuptimit të frymës së bashkëpunimit dhe besoj se kjo filozofi e jona do të na jep më shumë vlera shpirtërore por edhe në të njëjtën kohë edhe materiale” tha kryeministri Thaçi.
Më tutje z. Thaçi ftoi që të vazhdohet në rrugën e konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë, natyrisht integrimit në NATO, Bashkimin Evropian dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Ditët e Bajramit po afrohen, dhe besoj se edhe dita e mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB’ së do të bie në ditët e Bajramit, shpresojmë që ky do të jetë një Bajram i madh për Kosovën”, theksoi kryeministri Hashim Thaçi.
Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës ka falënderuar myftiu Naim Tërnava
“Sonte jemi tubuar rreth sofrës së iftarit, e cila si e tillë shtrohet me begatitë e saj vetëm gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit, si një kënaqësi që na e ka dhuruar i madhi Zot.
Jemi tubuar sonte pas një dite të gjatë të agjërimit në shenjë përkushtimi ndaj Zotit, ngase Ramazani është një nga kushtet kryesore të fesë islame.
Muaji i Ramazanit është muaj i mëshirës, muaj i reflektimit pozitiv dhe muaj i përkushtimit ndaj Zotit.
Agjërimi i Ramazanit përveç që fisnikëron shpirtin, fisnikëron edhe mbarë shoqërinë, ngase gjatë këtij muaji solidariteti i njerëzve është edhe më i madh, kur edhe shtohen vizitat në mes njerëzve dhe shtohet ndenja e afërsisë e respektit” – tha Myftiu Tërnava.
Më tutje myftiu tha: “Të nderuar të pranishëm, jemi me fat që po jetojmë në Kosovën e lirë e sovrane, jemi gjeneratë e zgjedhuar ngase pasi çliruam Kosovën, shpallëm pavarësinë e saj, dhe tani edhe po ndërtojmë vendin tonë, përse duhet t’i jemi mirënjohës së pari të madhit Zot që na dha mundësi të jemi pjesë e këtyre proceseve madhore për popullin tonë.
Gjithashtu duhet t’u jemi mirënjohës të gjithë miqve tanë që na përkrahën pa rezervë e po na përkrahin edhe tash në rrugëtimin tonë për ndërtimin e shtetit, pa harruar këtu edhe bijtë dhe bijat tona më të mirë që derdhen gjakun për liri.
Të nderuar qeveritarë! Të nderuar të pranishëm!, Aq sa jemi me fat, po aq kemi përgjegjësi para popullit dhe para Zotit, që amanetin e marrë nga populli ta realizojmë me drejtësi, sinqeritet e punë të mira”.
Në fund myftiu Tërnava u shpreh: “Të gjithë së bashku jemi të obliguar që të ndërtojmë një shoqëri të lirë e demokratike, një shoqëri ku respektohen e kultivohen vlerat etnike, fetare e humane.
Kështu, siç jemi bashkë në këtë muaj të madh, në këtë muaj të mëshirës e rahmetit, në këtë muaj të sakrificës e solidaritetit, kështu duhet që të jemi bashkë e unik gjithherë për të çuar përpara vendin, atje ku synojmë të gjithë, integrimin në Bashkimin Evropian.
Krejt në fund, lus Zotin që edhe këto ditë që na kanë mbetur t’i agjërojmë me lehtësim.
Sonte jemi mysafir të Kryeministrit të vendit, dhe shfrytëzoj nga rasti ta falënderoj për shtrimin e këtij iftarit.
Lus Zotin që të na japë shëndet dhe të na pranojë agjërimin dhe lutjet tona”. /bislame/