ιѕℓαм-ιѕтσg.тк
Lutja Duaja
Lutja/Duaja |
1. Madhërimi ndaj All-llahut të Lartmadhërishëm dhe salavati mbi Pejgamberin alejhi-selam para se t'ia fillojmë duasë. Kjo, ngase ne kërkojmë prej Tij të na begatojë, mëshirojë dhe falë. Andaj është e arsyeshme që lutjes t'i bëjmë një hyrje e cila përmbanë falënderimin dhe madhërimin që i përshtaten qenies së Tij, Lavdi i qoftë.
Nga Fedale bin Ubejdi transmetohet se ai ka thënë “Sa ishte Resulull-llahu ulur, hyri një njeri dhe u fal, pastaj tha: “O All-llah më fal mua dhe më mëshiro”. Atëherë Muhammedi a.s. tha: “Nxitove o ti Musal-li (faltar i namazit), pasi të falesh, duke qenë ulur, falënderoje All-llahun me atë që meriton dhe ço salavat mbi Mua e pastaj bëj dua”. Mandej erdhi dhe u fal një tjetër. Falënderoi All-llahun çoi salavat mbi Pejgamberin a.s. Këtij i Dërguari i tha: “O ti Musal-li tash lutu se ajo të pranohet”. (Transmeton Tirmidhiu ndërsa hadithi është sahih)
2. Bindja e mirë ndaj All-llahut të Lartësuar
I Lartmadhërishmi thotë: “E kur robërit e mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet” (El-Bekare 186). Pra All-llahu xh.sh. është afër nesh, Ai është me ne, me diturinë, gjerësinë dhe mbrojtjen e Tij.
Pejgamberi a.s. na ka urdhëruar që çështjen e pranimit t'ia lëmë All-llahut xh.sh. dhe të jemi të bindur se do ta fitojmë atë që e shpresojmë.
Transmetohet nga Ebu Hurejre radijallahu-anhu se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Luteni All-llahun duke qenë të bindur se Ai ju përgjigjet.” (Transmeton Tirmidhiu e hadithi është hasenun sahih) që don të thotë: Të besoni se All-llahu xh.sh. nuk ua ndërpret të mirat e Tij. Se bujaria e Tij është e gjerë, dhuntia e Tij është e madhe dhe atë sa herë që lutësi lutet. Shpresa e tij e mban dhe lutja e tij është e sinqertë. Kjo ngase, nëse shpresa e duaxhiut (në All-llahun) nuk është e fortë, duaja e tij nuk është e sinqertë.
3. Pranimi i mëkatit
Kjo punë është përsosuri e adhurimit ndaj All-llahut të Lartësuar. Transmetohet nga Ali bin Ebi Talibi r.a. i cili e ka dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë: “Me të vërtetë All-llahu mahnitet me robin kur thotë: Nuk ka zot përveç Teje. Me të vërtetë unë i bëra vetes të padrejtë, m'i falë mua gabimet se vërtet nuk ka kush që i falë gabimet pos Teje. Thotë (All-llahu xh.sh.): Robi im e din se ai ka Zot i cili fal dhe dënon. (Transmeton Hakimi ndërsa hadithi është sahih, i vërtetë)
4. Vendosmëria në lutje
Transmetohet prej Enes bin Malikut r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur të bëjë dua ndonjëri prej jush le të jetë i vendosur në lutjen e tij e mos të thotë “O All-llahu im, nëse dëshiron, më jep mua, sepse nuk ka kush që e imponon Atë”. (Transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu)
Qëllimi i vendosmërisë në kërkim është të kërkosh me këmbëngulje dhe të kërkosh prej All-llahut me vrull.
5. Vrullshëria në dua (lutje)
Transmetohet nga Aisheja radiall-llahu - anha se asaj i ishte vjedhur një çarçaf, dhe filloi të lutet (keq) për atë që ia kishte vjedhur atë. Atëherë Pejgamberi a.s. i tha: “Mos e shkarko atë”. (Transmeton Ebu Davudi, hadithi është i vërtetë). Domethënë mos ia lehtëso me lutjen tënde mëkatin atij i cili meriton dënimin për atë që ka vjedhur.
6. Lutja të bëhet tri herë
Eshtë vërtetuar sipas Sunnetit ashtu edhe siç gjendet në hadithin të cilin e transmeton Muslimi nga Ibni Mesudi r.a. i cili thotë: “Pasi Pejgamberi a.s. e kreu namazin e tij, ngriti zërin dhe filloi të lutet për ta (kurejshitët). Ai e kishte zakon që kur lutej e përsëriste tri herë lutjen e tij. E Ai kësaj here tha: O All-llah, Ti u dalësh hakut kurejshitëve. O All-llah, Ti u dalësh hakut kurejshitëve. O All-llah Ti u dalësh hakut kurejshitëve”.
7. Duaja (lutja) të bëhet me fjalë
që kanë kuptim përmbledhës.
Kjo don të thotë që fjalët në dua (lutje) të jenë të pakta por të dobishme, të cilat i nxjerrin domethëniet më të forta me pak fjalë dhe që të arrihet qëllimi në mënyrë më përmbledhëse dhe më të qëlluar. Në Sunenin e Ebu Davudit dhe Musnedin e Ahmedit transmetohet se Aisheja radiall-llahu-anha ka thënë: Pejgamberi salallahu-alejhi-ve-sel-lem gjithmonë i mbivlerësonte duatë me kuptim përmbledhës dhe i linte të tjerat pas tyre”.
Prej këtyre lutjeve është edhe lutja e cila transmetohet nga Ferve bin Naufel i cili tha: “E kam pyetur Aishenë radiall-llahu-anha se cilën lutje e bënte Pejgamberi s.a.v.s. e Ajo më tha: Pejgamberi a.s. kishte traditë të thotë: ALL-LLAHUME INI EUDHU BIKE MIN SHERR-RRI MA AMELT VE SHERR-RRI MA LEM A'MEL. (O All-llahu im, kërkoj që të më mbrosh prej sherrit që kam bërë dhe prej sherrit që nuk e kam bërë”. (Transmetojnë Muslimi dhe Ebu Davudi)
Po ashtu transmetohet nga Musa El Esh'ari r.a. se ai e kishte dëgjuar Pejgamberin a.s. duke u lutur me këtë lutje “O All-llahu im, më fal gabimin tim, paditurinë time, harxhimin tim, në çështjet e mia e për të cilat Ti je më i dijshëm sesa unë për to. O All-llahu im, më fal mua atë të cilën e kam thënë me seriozitet dhe atë që e kam thënë me mahi, atë që e kam thënë gabimisht dhe atë që e kam thënë qëllimisht dhe çdo gjë që gjendet te unë. O All-llahu im, më fal mua atë që më ka kaluar dhe atë që do të vjen. Atë të cilën e kam bërë fshehurazi dhe atë që e kam bërë haptazi dhe atë të cilën Ti e din më mirë se unë, se Ti je i Pari dhe i Fundit. Ti je i Fuqishëm për çdo gjë” (Transmeton Muslimi)
8. Të fillojë duaxhiu (lutësi) prej vetvetes
Siç është përmendur në fjalët e të Lartësuarit: “Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim.” (El-Hashër 10) dhe po ashtu në fjalët: “Zoti im, më fal mua dhe vëllain tim dhe na dhuro mëshirën tënde”. (El-A'raf, 151)
Po ashtu edhe në fjalët: “Zoti ynë, më fal (gabimet) mua dhe falja prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria". (Ibrahim, 41)
Ibni Abasi transmeton nga Ebejje bin Kab i cili thotë: “Me të vërtetë Pejgamberi a.s. kur ka bërë dua për dikë, më së pari ka bërë dua për vete e pastaj për te”. (Transmeton Tirmidhiu).
Por kjo nuk ka qenë traditë e përhershme e Pejgamberit a.s. sepse ka raste kur Pejgamberi a.s. ka bërë dua për të tjerët e nuk ka bërë për vete, siç është hadithi ku Pejgamberi a.s. thotë: “E mëshiroftë All-llahu nënën e Ismailit, sikur ta kishte lënë Zem-Zemin do të ishte bërë burim i përcaktuar”, - (hadithi bën fjalë për rrëfimin e Haxheres sh.p.)
9. Të zgjedhë kohë të përshtatshme për dua (lutje)
Prej kohëve më të përshtatshme për dua është fundi i natës, koha mes ezanit dhe ikametit, koha kur gjendemi në sexhde, kur jemi të brengosur, pas ikindisë në Ditën e xhuma, në Ditën e Arafatit, koha kur bie shi, në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit etj.
AbdulHamid Suhejban
___________________________________________
Powered by: www.islam-istog.com / www.islam-istog.tk
Administrator : Getoari
E-mail : Get-oar1@hotmail.com
____________________________________________
O all-llah me mjafto mua me hallallin tënd nga harami yt dhe me mjafto me mirësinë tënde nga të Tjerët.