Free CSS template by ChocoTemplates.com

ιѕℓαм-ιѕтσg.тк

Pendohuniii

Pendohu sot, nesër do të jetë vonë!

Sa e bukur do të ishte jeta sikur njeriu të tregohej i kujdesshëm ndaj saj dhe ta jetonte atë me pendesë e me dashuri ndaj Zotit dhe njerëzve, por ja që sot nuk është ashtu. Përderisa shokët e pejgamberit tonë Muhamedit a.s., dhe muslimanët e parë kishin frikë se mos po binin në ndonjë mëkat të vogël apo të madh dhe përderisa ata pendoheshin dhe kërkonin falje nga Allahu xh.sh. kjo gjë megjithatë nuk po vërehet tek ne si ummeti i Pejgamberit Muhamed Mustafasë. Se çfarë po ndodh me ne vetëm Zoti e di më së miri. Por një gjë është shumë e sigurt. Ne po rrëshqasim çdo ditë drejt një katastrofe të madhe si pasojë e mëkateve të vogla e të mëdha që po i bëjmë çdo ditë mbi tokë duke mos i thirrur asnjëherë arsyes për veprimet që i bëjmë.

Në përgjithësi shoqëria jonë e pasluftës po përballet me një fenomen i cili për shumë nga ne para luftës ndoshta ka qenë fenomen i shfaqur relativisht. Kjo ka të bëjë me krizën morale në të cilën shoqëria shqiptare është katandisur në këto vitet e fundit duke demonstruar si asnjëherë më parë disbalancin që ekziston në raportet e familjes me familjen, mosrespektin e fëmijës ndaj prindit dhe etjen për para e për pushtet, gjëra që asnjëherë nuk kanë qenë të pranishme në traditën tonë kombëtare e shpirtërore në masën që janë sot. Kërkimfalja asnjëherë nuk ka qenë më e papranishme se sot në gjuhën tonë të komunikimit me njëri-tjetrin.Sot po jetojmë në një kohë kur apetitet e një grupi njerëzish për të pasur gjithçka nën pronësinë e tyre po shtohen vazhdimisht dhe për ta ngritja mbi interesat e të tjerëve për t’i realizuar qëllimet e tyre vetanake duket se nuk po paraqet ndonjë problem të madh.

Kjo mënyrë e sjelljes e cila po vërehet te lidershipi ynë në veçanti, kam frikë se do të prodhojë pasoja të rënda në të ardhmen për shoqërinë tonë. Mosshfaqja e shenjave të pendimit për dëmet që ata u shkaktojnë qytetarëve të tyre me veprimet që shpesh bien në kundërshtim me vullnetin e Zotit mund të reflektojnë negativisht te brezat e rinjë prandaj unë ju them: o pushtetarë pendohuni dhe kini frikë Allahun për të bëmat tuaja. Ai që pendohet është shumë më i mirë se ai që nuk pendohet. Përse nuk po pendoheni pra? Burri më i madh në botë është ai që i pranon mëkatet e veta dhe pendohet. Njeriu si qenie humane e ka të pamundur që të mos bëjë mëkate asnjëherë në jetën e tij.

Pendimi i sinqertë

Për këtë na tregon edhe Allahu xh.sh. në Kuranin e tij famëlartë. Meqë njeriu është jorezistent ndaj mëkatit atëherë shtrohet pyetja: Cila është mënyra më e mirë për tu pastruar dhe për tu larguar nga mëkati? Atëherë. Ska dyshim se mënyra më e lehtë dhe më e mirë për tu larguar dhe për tu pastruar nga mëkati është pendimi i sinqertë. Pendimi i sinqertë nënkupton kthimin e njeriut të Allahu xh.sh. duke i’a dhënë besën Atij se mëkatet që i ka bërë deri më tani nuk do t’i përsërit më. Kur robi e lidh besën me Zotin e tij ai nuk tërhiqet prapa asnjëherë. Për Zotin e plotfuqishëm asgjë nuk është më e dashur sesa kur robi i tij pendohet.

Robi i Allahut asnjëherë nuk e humb shpresën në mëshirën e krijuesit të tij. A je i sigurt se do ta jetojë të nesërmen apo jo. Allahu xh.sh. në Kuranin e tij famëlartë na mëson se kur shejtani e mashtron besimtarin dhe e nxit të bëjë diçka çka Ai e ka ndaluar, besimtari nxiton të bëjë teube, domethënë, të pendohet për të gjitha që i ka bërë, kërkon falje, nga Allahu xh.sh. dhe vendos që mëkate të tilla të mos bëjë më. Allahu xh.sh. duke i përshkruar besimtarët, robërit e vet besnikë, thotë: “Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetes së tyre, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kush i falë mëkatet përveç Allahut ? -dhe që duke e ditur, nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar (në të keqen).”(Suretu Et Tevbe)“

Thuaj: O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!.”( Suretu Et Tevbe) Ata që e lidhin besën me Krijuesin e tyre dhe që pendohen janë të atillët që i ndjejnë më së miri ndryshimet në jetët e tyre. Përmes pendimit njeriu arrin në stadet më të larta.

Duke u penduar, njeriu pastrohet

Është detyrë e secilit nga ne që të japim kontributin tonë në vetëdijesimin e shoqërisë sonë për vlerën që ka pendimi. Asnjëri nga ne nuk duhet të krijojë iluzione se gjendja jonë do të ndryshojë duke qëndruar indiferent ndaj situatës në të cilën ndodhemi. Për të dalur nga gjendja në të cilën jemi është më se e domosdoshme që besimtarët muslimanë t’i bashkojnë forcat në mënyrë që vendin tonë ta nxjerrim së bashku nga kjo gjendje në të cilën ndodhet, në mënyrë që nesër të dalim me fytyra të ndritura para Allahu xh.sh..

Duke u bazuar në modelet e funksionimit të shoqërisë shqiptare të kohës sonë unë po frikësohem se katandisja jonë morale do të vazhdojë derisa ne të mos i përulemi Zotit tonë me adhurim dhe me pendim të sinqertë. Meqenëse zemrat tona janë mbushur me urrejtje dhe me zili sot kanë nevojë më shumë se kurrë për tu penduar. Është momenti i fundit kur ne duhet të zgjohemi nga gjumi dhe ta shohim se si qëndrojmë në raportet tona me Zotin dhe me njerëzit. Nëse këtë nuk e bëjmë tani, nesër do të jetë vonë sepse nesër do të jemi para Allahut xh.sh. dhe të gjitha çështjet do të jenë të përfunduara.

Në fund të këtij punimi e lus Allahun e madhërishëm që të na i falë të gjitha mëkatet ne dhe baballarëve tanë të vdekur, të na udhëzojë ne dhe familjet tona në rrugën e drejtë islame, të na jap të gjitha të mirat në këtë botë, të na shpërblejë me Xhennetet e tij, të na takojë me pejgamberin tonë Muhamedin a.s., dhe të na e mundësojë që në çastet e fundit të largimit nga kjo botë ta themi fjalën: La-il-lahe-il-lallah Muhameden resulullah.

Atdhe Ibrahimi

Marrë nga: "Dituria Islame"

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free